Rekord transaksionesh në 2024, BSH: 30.5 për qind më shumë transferta në euro
Viti 2024 është mbyllur me një bilanc shumëfish më të lartë se viti 2023, për sa i përket numrit dhe shumës së transaksioneve të realizuara përmes sistemit AIPS.
Sistemi AIPS-EURO nisi që të operonte në vitin 2022. Që prej atij viti, transaksionet e realizuara përmes këtij sistemi kanë pësuar një rritje të konsiderueshme. Në 2024 janë kryer gjithsej 325 mijë transaksione me një vlerë prej 5.2 miliardë eurosh. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar rreth 30.5% më shumë transaksione se në vitin 2023, ndërkohë që edhe shuma e tyre ka pësuar një rritje prej 26.2%.
Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në muajin dhjetor janë realizuar më shumë transaksione përmes sistemit AIPS-EURO sesa në muajt e tjerë të vitit. Konkretisht, në dhjetor u realizuan rreth 34 mijë veprime, gati 30% më tepër se në muajin pararendës.
Me rritjen e numrit, edhe vlera e transaksioneve ka qenë më e madhe. Sipas statistikave zyrtare, në muajin e fundit të 2024, shuma e transaksioneve arriti në thuajse 604 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar që prej fillimit të vitit.
Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS EURO përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën. AIPS mundëson kryerjen e pagesave të mëdha, të shpejta dhe të sigurta ndërmjet bankave, duke ndihmuar në mirëmbajtjen e operacioneve financiare në vend. /SCAN